Dje u mbajt Takimi i Parë i Komitetit Drejtues për Programin e Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II-IV, një program strategjik që synon rehabilitimin dhe zhvillimin e deponive sanitare në Kosovë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Qeverisë Gjermane dhe KfW.
Takimin e udhëhoqi zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Avni Zogiani, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Ekonomisë, z. Getoar Mjeku, përfaqësuesit të Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Olivier Boudart, përfaqësuesit të Ambasadës Gjermane, z. Daniel Alker, përfaqësuesit të KfW-së, z. Georg Grüner, si dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KMDK-së, z. Dardan Velija.
Gjatë takimit u vlerësua dhe u lavdërua progresi i arritur në reformimin organizativ dhe ngritjen e kapaciteteve të KMDK-së, si dhe avancimi i projekteve për rehabilitimin e deponive në Gjilan, Prizren dhe Pejë.
Komiteti miratoi një sërë angazhimesh prioritare, përfshirë sigurimin e financimit për investimet në Istog, avancimin e procedurave për zgjatjen e jetës së deponisë së Podujevës, transferimin e pronësisë së lokacioneve të deponive, përditësimin e legjislacionit në përputhje me standardet e BE-së, si dhe furnizimin e KMDK-së me mekanizim të ri për të garantuar funksionimin e pandërprerë të deponive përgjatë tranzicionit. Po ashtu, u përcaktuan hapat konkretë për avancimin e projekteve në Podujevë, Istog dhe Prishtinë, me qëllim sigurimin e infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave.
Faleminderit Bashkimit Evropian, Qeverisë Gjermane dhe KfW-së për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij programi me rëndësi strategjike për Kosovën.
