REAGIM I KMDK SH.A. LIDHUR ME NDRYSHIMIN E ORARIT TË OPERIMIT TË DEPONIVE SANITARE

13.10.2026

Array

Duke marrë parasysh njoftimin publik të KRM “Pastrimi” dhe interesimin e mediave lidhur me situatën e krijuar rreth grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK Sh.A.) e vlerëson të nevojshme të sqarojë rrethanat që kanë çuar në riorganizimin e orarit të operimit, arsyetimin mbi të cilin është bazuar ky vendim, si dhe përgjegjësitë përkatëse të palëve të përfshira në procesin e menaxhimit të mbeturinave.

Ndryshimi i orarit të pranimit të mbeturinave është rezultat i një procesi të planifikuar të analizimit dhe rivlerësimit të kushteve operative dhe  nuk ka të bëjë vetëm me Deponinë Sanitare Mirash, por përfshin të gjitha deponitë sanitare dhe stacionin e transferit nën menaxhimin e KMDK Sh.A. Ky proces është zhvilluar përmes një grupi punues të themeluar për këtë qëllim, i cili ka analizuar fluksin e pranimit të mbeturinave, shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike, kostot operative dhe kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Nga analiza e të dhënave operative dhe vlerësimi i situatës në terren është konstatuar se aktiviteti gjatë ndërrimit të natës është dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën ditore. Në veçanti, në Deponinë Sanitare Mirash, numri i automjeteve që paraqiten për deponimin e mbeturinave gjatë orëve të natës është relativisht i vogël në raport me aktivitetin gjatë ditës. Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e kostove operative dhe në shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike.

Përveç aspektit të efikasitetit dhe menaxhimit të kostove, analiza ka evidentuar edhe sfida që lidhen me sigurinë në punë, përfshirë ndriçimin e pamjaftueshëm në disa zona të shkarkimit, praninë e qenve endacakë dhe vështirësitë e tjera që mund të ndikojnë në sigurinë e punonjësve gjatë operimit në orët e natës.

Bazuar në këto gjetje, grupi punues ka rekomanduar riorganizimin e orarit të pranimit të mbeturinave, duke përcaktuar orare të përshtatura me ngarkesën dhe nevojat operative të secilës njësi. Në vijim të këtij procesi, KMDK Sh.A. ka vendosur zbatimin e orareve të reja, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 korrik 2026.

Për të siguruar informimin dhe koordinimin e duhur, oraret e reja u janë komunikuar palëve relevante rreth një muaj para hyrjes në fuqi, përfshirë komunat, kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët privatë. Ky njoftim paraprak ka pasur për qëllim t’u mundësojë të gjitha palëve që të planifikojnë dhe organizojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e përcaktuara.

KMDK Sh.A. ka treguar dhe vazhdon te kete fleksibilitet dhe gatishmëri për bashkëpunim edhe pas hyrjes në fuqi të orarit të ri. Në përgjigje të kërkesave të KRM “Pastrimi”, të cilat kanë pasur të bëjnë me nevojën për zgjatjen e orarit të deponimit gjatë sezonit veror, KMDK Sh.A. ka mundësuar operimin e Deponisë Sanitare Mirash 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë (24/7), gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 2026.

Këto kërkesa janë paraqitur nga KRM “Pastrimi” me arsyetimin e rritjes së sasisë së mbeturinave gjatë sezonit veror, fluksit të shtuar të qytetarëve dhe lëvizjeve në kryeqytet, organizimit të aktiviteteve të shumta, si dhe vështirësive në komunikacion që ndikojnë në realizimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave.

Konkretisht, pas kërkesës së KRM “Pastrimi” për zgjatjen e orarit gjatë muajit gusht, KMDK Sh.A. ka dhënë përgjigje pozitive, duke mundësuar operimin 24/7. Po ashtu, pas kërkesës së mëtejshme të kësaj kompanie për vazhdimin e zgjatjes së orarit gjatë muajit shtator 2026, KMDK Sh.A. ka aprovuar edhe këtë kërkesë.

Rrjedhimisht, gjatë gjithë periudhës korrik–shtator 2026, Deponia Sanitare Mirash ka operuar 24/7, si masë e përkohshme për t’iu përgjigjur kërkesave të paraqitura dhe për të lehtësuar organizimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave gjatë sezonit veror.

Ky angazhim dëshmon se KMDK Sh.A. ka marrë në konsideratë nevojat e paraqitura nga KRM “Pastrimi” dhe operatorët tjerë, dhe ka mundësuar zgjatjen e orarit përtej orarit të rregullt, në funksion të koordinimit ndërmjet kompanive dhe menaxhimit sa më efikas të mbeturinave gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, është e rëndësishme të sqarohet se operimi 24/7 gjatë muajve të sezonit veror ka përfaqësuar një masë të përkohshme, të ndërmarrë në përgjigje të kërkesave specifike të KRM “Pastrimi”, dhe jo shfuqizim të vendimit për riorganizimin e orarit të rregullt të operimit. Ky i fundit mbetet i bazuar në analizën e kushteve operative, shfrytëzimin racional të resurseve, kostot dhe kërkesat e sigurisë në punë.

Është e rëndësishme të sqarohet se KMDK Sh.A. dhe KRM “Pastrimi” janë dy ndërmarrje me përgjegjësi dhe funksione të ndryshme në kuadër të menaxhimit të mbeturinave. KMDK Sh.A. është përgjegjëse për menaxhimin e deponive sanitare dhe stacionit të transferit, përfshirë organizimin e pranimit të mbeturinave, operimin e njësive përkatëse dhe përcaktimin e orarit të tyre të punës, bazuar në nevojat operative, efikasitetin dhe kushtet e sigurisë.

Ndërkaq, organizimi i shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, planifikimi i itinerareve, përcaktimi i orarit të ekipeve dhe automjeteve, si dhe menaxhimi i kapaciteteve për realizimin e këtij shërbimi, janë përgjegjësi operative e kompanisë që e ofron shërbimin e grumbullimit.

Për rrjedhojë, ndryshimi i orarit të pranimit të mbeturinave në deponi nuk nënkupton që KMDK Sh.A. merr përsipër përgjegjësinë për organizimin e shërbimit të grumbullimit apo për përfundimin e cikleve operative të KRM “Pastrimi”, apo cilitdo operator tjetër. Secila kompani është përgjegjëse për organizimin e veprimtarisë së saj brenda mandatit dhe kapaciteteve që administron, duke siguruar koordinimin e nevojshëm me palët e tjera.

Vendimi i KMDK Sh.A. për riorganizimin e orarit është marrë në kuadër të përgjegjësive të saj për menaxhimin e njësive operative. Ai është bazuar në një proces analizimi dhe vlerësimi dhe nuk ka qenë vendim i marrë në mënyrë të veçuar ndaj KRM “Pastrimi”, pasi oraret e reja kanë përfshirë të gjitha deponitë sanitare dhe stacionin e transferit që menaxhon kompania.

Njëkohësisht, fakti që KMDK Sh.A. ka aprovuar kërkesat për operim 24/7 gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 2026, dëshmon se kompania ka qenë e gatshme të përshtatë përkohësisht orarin në përgjigje të nevojave të paraqitura nga KRM “Pastrimi” dhe operator tjere. Ky bashkëpunim nuk e ndryshon ndarjen e përgjegjësive ndërmjet dy kompanive dhe as karakterin e përkohshëm të masës së ndërmarrë.

KMDK Sh.A. mbetet e përkushtuar për bashkëpunim institucional dhe koordinim operacional dhe ky bashkëpunim duhet të mbështetet në respektimin e përgjegjësive përkatëse dhe në planifikimin e duhur të aktiviteteve nga secila palë. Vështirësitë eventuale në organizimin e shërbimit të grumbullimit duhet të trajtohen përmes koordinimit ndërmjet kompanive, pa i atribuar KMDK Sh.A. përgjegjësi për operacione që nuk janë pjesë e funksionit të saj.

KMDK Sh.A. e kupton rëndësinë e shërbimit të rregullt të grumbullimit të mbeturinave dhe ndikimin që ky shërbim ka në pastërtinë e mjedisit dhe shëndetin publik. Për këtë arsye, kompania mbetet e përkushtuar për komunikim dhe bashkëpunim me KRM “Pastrimi”, komunat dhe operatorët e tjerë, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe identifikimit të zgjidhjeve të qëndrueshme, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë operative të secilës palë.

Në përmbyllje  KMDK Sh.A. rithekson se vendimet për organizimin e orarit të operimit janë marrë mbi bazën e një procesi të strukturuar të analizimit dhe vlerësimit, me synim rritjen e efikasitetit, menaxhimin e përgjegjshëm të resurseve dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë. Njëkohësisht, kompania dëshmon gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me akterët relevantë dhe për të shqyrtuar nevojat operative, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet vazhdimësisë së shërbimit, efikasitetit dhe sigurisë.

 

REAGIM I KMDK SH.A. LIDHUR ME NDRYSHIMIN E ORARIT TË OPERIMIT TË DEPONIVE SANITARE - KMDK
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.