Sqarim lidhur me situatën e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, lidhur me situatën e krijuar në menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, vlerëson të nevojshme të informojë opinionin publik dhe të sqarojë disa çështje që lidhen me funksionimin e deponisë së Mirashit.
KMDK sqaron se deponia e Mirashit ka qenë në dispozicion për pranimin e mbeturinave gjatë 24 orëve, deri më 30 shtator 2026. Rrjedhimisht, konsiderojmë se situata e krijuar në Prishtinë nuk mund t’i atribuohet mbylljes së deponisë, por kërkon një vlerësim më të gjerë të organizimit dhe menaxhimit të shërbimit të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave.
Gjithashtu, KMDK njofton se K.R.M. “Pastrimi” ka obligime financiare të papërmbushura ndaj KMDK-së, të akumuluara gjatë një periudhe të konsiderueshme. Pavarësisht kësaj situate, KMDK ka vazhduar të ofrojë shërbimet e saj, duke pasur parasysh rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave për qytetarët dhe shëndetin publik.
Duke qenë se kontrata ndërmjet KMDK-së dhe K.R.M. “Pastrimi” skadon më 16 tetor 2026, KMDK konsideron të domosdoshme që obligimet e mbetura financiare të adresohen sa më parë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së bashkëpunimit dhe ofrimit të pandërprerë të shërbimeve.
Në rast se këto obligime nuk përmbushen, KMDK mund të detyrohet të shqyrtojë masa në përputhje me kushtet kontraktuale, përfshirë edhe kufizimin e qasjes së K.R.M. “Pastrimi” në deponinë e Mirashit.
KMDK mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit institucional dhe gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme, duke vënë në plan të parë interesin e qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik.