Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK SH,A), Dardan Velija ka mbajtur takim informues me përfaqësuesit e Fshatit Landovicë ku KMDK operon me deponi sanitare. Kryeshefi Ekzekutiv si pjesë të ekipit kishte edhe udhëheqësin e ekipit të projektit të masave zbatuese për dizajnimin e mbylljes së qelizave egzistuese dhe ndërtimit të qelizave të reja me standard, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Investim (KfW), Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeshefi Ekzekutiv ka dëgjuar brengat e akumuluara ndër vite të përfaqësuesve të fshatit Landovicë lidhur me operimin e kësaj deponie. Menaxheri i deponisë sanitare në Landovicë, Esat Paqarizi ka thënë se i mirëkupton shqetësimet e qytetarëve dhe ka treguar se është duke u bërë maksimumi për përmirësimin e gjendjes në deponi përpara investimeve të projektuara dhe të destinuara për këtë deponi sanitare.
Kryeshefi Ekzekutiv i ka njoftuar përfaqësuesit mbi ecurinë e projektit për ta rehabilituar këtë deponi në përputhje me direktivat evropiane dhe standardet adekuate për këtë fushë. Ai ka thënë që të gjitha brengat e fshatit do të merren parasysh dhe se KMDK do të angazhohet pandërprerë për përmirësimin e gjendjes dhe për të eliminuar të gjitha efektet negative të kësaj deponie për fshatin Landovicë.
Përfaqësuesit e fshatit e kanë falënderuar Kryeshefin Ekzekutiv për vizitën, që është e para e këtij lloji në këtë fshat nga menxhmenti i lartë i KMDK-së. Eksperti ndërkombëtar Ludwig Streff i angazhuar në projektin e KMDK-së informoi përfaqësuesit e fshatit mbi planet, afatet kohore dhe rezultatet e pritura nga intervenimi në këtë deponi sanitare, që do të finalizojnë transformimin e deponisë sanitare duke u bazuar në ruajtjen dhe pastërtinë e ekosistemit të fshatit Landovicë në Prizren.