KMDK merr pjesë në tryezën për situatën në deponinë e Sferkës së Thatë

04.08.2026

Array
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ishte pjesë e tryezës së organizuar nga Organizata “Syri i Vizionit”, ku u diskutua gjendja aktuale në deponinë e Sferkës së Thatë, e prekur nga djegie të vazhdueshme mbeturinash.

Në takimin, i cili bashkoi përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, operatorëve rajonalë, shoqërisë civile dhe komunitetit, KMDK u përfaqësua nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Dardan Velija si dhe Drejtoresha e Departamentit për Planifikim dhe Zhvillim znj. Linda Çavdarbasha.
Kryeshefi Ekzekutiv i KMDK-së theksoi se shumica e deponive ekzistuese në vend janë përtej kapacitetit dhe jetëgjatësisë së tyre të parashikuar. Sipas tij, punët për ndërtimin e një deponie të re, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, janë në proces e sipër, me synim funksionalizimin e saj brenda vitit 2028. Objekti i ri do të pajiset me sisteme bashkëkohore për trajtimin e gazrave dhe ujërave që krijohen gjatë procesit të deponimit, ndërsa një element kyç i qasjes së re do të jetë ndarja e mbeturinave që në burim, si hap paraprak drejt rritjes së riciklimit në vend.
Nga ana e tyre, përfaqësues të Kompanisë Rajonale “Ambienti”, operatori aktual i deponisë, informuan pjesëmarrësit për situatën në terren, duke theksuar se, për shkak të natyrës së thellë të zjarrit, uji nuk po jep më rezultatet e nevojshme për shuarjen e tij, dhe se është kërkuar mbështetje nga institucionet qendrore për sigurimin e materialit të nevojshëm për mbulimin e vatrave të zjarrit.
Në tryezë u trajtua edhe nevoja për matje të menjëhershme të cilësisë së ajrit në zonën e prekur, ku KMDK u zotua t’i huazojë përkohësisht KRM “Ambienti” pajisjen për matjen e gazrave në deponi, në mënyrë që qytetarët të informohen sa më saktë mbi cilësinë e ajrit. Po ashtu, u diskutua edhe përfshirja e komunitetit lokal të Trstenikut në gjetjen e zgjidhjeve.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit u dakorduan që institucionet e përfshira të vazhdojnë koordinimin për menaxhimin e situatës aktuale, ndërsa hapat konkretë të diskutuar do të monitorohen edhe në takimet e ardhshme.
KMDK merr pjesë në tryezën për situatën në deponinë e Sferkës së Thatë - KMDK
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.