Fillon puna në disejnimin e qendrave të reja të trajtimit të mbeturinave

22.12.2023

Nënshkruhet kontrata e shërbimit për zbatimin e Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Kosovën, Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II – IV, Shërbimet e Konsulencës për Zbatimin e Projektit, ndërmjet Kompanisë për Menaxhinin e Deponive në Kosovë, KMDK SH.A. përfituese e projektit dhe ndërmarrjes konsulente gjermane ICP GmbH., udhëheqëse e konsorciumit si ofrues i shërbimit. Projekti i financuar me grande nga bashkëpunimi dypalësh gjerman, me KfW si agjenci financuese dhe me fonde nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), me kontribut të BE-së në kuadër të IPA 2020 – 2022, dhe kontribut të Qeverisë së Republikës së Kosovës, synon të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë në mënyrë të qëndrueshme dhe miqësore për mjedisin.

Projekti parasheh këto investime në sistemin e menaxhimit të mbeturinave të Kosovës:

  • Ndërtimi i qelisë së parë të qendrës së re rajonale të menaxhimit të mbeturinave, duke përfshirë deponi të re për rajonin e Prishtinës, dhe prokurimin e pajisjeve mobile të nevojshme për operim.
  • Punimet për rehabilitimin dhe mbylljen së qelive aktualisht funksionale të deponive rajonale në Gjilan dhe Prizren si dhe ndërtimi i një qelie të re deponimi për secilën deponi sikurse edhe prokurimi i pajisjeve mobile të nevojshme për operim.
  • Punimet për mbylljen e qelizës aktualisht funksionale të deponisë rajonale në Pejë dhe ndërtimi i një qelie të re për deponim në të njëjtin lokacion si dhe mbyllja e deponisë së Istogut.
  • Punimet e mbylljes së Deponisë së Podujevës, aktualisht funksionale si dhe ndërtimi një stacioni të ri të transferit në lokacionin e Deponisë së Podujevës dhe blerja e pajisjeve mobile për operim si dhe pajisjeve të transportit të mbeturinave në distanca të gjata.
  • Punimet për rehabilitimin e Stacionit të Transferimit të Ferizajit, aktualisht funksional.

 

“Kjo mbështetje gjermane e BE-së dhe e Qeverisë së Kosovës do të na mundësojë që të shndërrohemi në një ndërmarrje që zbaton praktikat moderne të menaxhimit të mbeturinave sipas standardeve të BE-së. Ky projekt na hapë rrugën që të rrisim kontributin tonë në mbrojtjen e ambientit duke rritur gamën e shërbimeve, tha Dardan Velija, Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave në Kosovë.

“Sot po shkruajmë histori në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë. Jemi të lumtur që do të kemi mundësinë të ndajmë përvojën tonë dhe të sjellim kompetencën tonë profesionale, për të kontribuar në përmirësimin e këtij sektori në Kosovë”, theksoi ndër të tjera Dr. Ludwig Streff, udhëheqës i ekipit dhe përfaqësues i konsorciumit.

 

“Ky projekt është investimi më i madh në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave në Kosovë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Mbeturinave të Kosovës dhe nxitjen e përafrimit me standardet e BE-së. Projekti do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe mundësive të të ardhurave në sektorin e mbetjeve”, u shpreh Ministri i MPHI –së Liburn Aliu.

 

Kohëzgjatja fillestare e projektit është 48 muaj, duke filluar nga janari 2024. Ndërmarrja e përbashkët e udhëhequr nga ICP GmbH do të ofrojë asistencë teknike dhe mbikëqyrje për zbatimin e projektit, duke siguruar cilësinë dhe efikasitetin e aktiviteteve dhe rezultateve të projektit.

Projekti është rezultat i bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë ndërmjet qeverive të Gjermanisë dhe Kosovës, BE-së, KfW, KMDK dhe ICP GmbH.

 

Fillon puna në disejnimin e qendrave të reja të trajtimit të mbeturinave - KMDK
This site is registered on wpml.org as a development site.